Këtë të martë kanë nisur punimet për hedhjen e shtresës së fundit asfaltike në rrugën lidhëse të fshatit Fshat me rrugën e Arbrit. Kjo do të thotë që edhe problematikat e shfaqura në deformim të aksit nga rrethrrotullimi i fshatit Fshat deri në degëzimin me rrugën nacionale Klos-Bulqizë, po asfaltohet. Gjithashtu janë vënë në funksion të dy urat e fshatit Fshat për qarkullimin e automjeteve, ura e re dhe ura ekzistuese. Pas asfaltit pritet të vendosen edhe sinjalistika vertikale dhe ajo horizontale si dhe mbrojtëset metalike.

Kujtojmë se ky segment rrugor ka qenë problematik për drejtuesit e mjeteve sa herë që kishte reshje shiu, duke shkaktuar edhe aksidente automobilistike. Rruga e fshatit Fshat shërbeu si rrugë lidhëse për ndërtimin e rrugës së Arbrit, dhe disa nga familjet buzë rrugës pësuan edhe dëme në banesa, por firma nuk iu ka përgjigjur akoma për dëmin e shkaktuar.

Por segmente të tjera të rrugës së Arbrit janë akoma të papërfunduara dhe problematike përsa i përket sigurisë dhe sinjalistikës, siç është segmenti nga rrethrrotullimi i fshatit Fshat deri në hyrje të tunelit të Murrizit si dhe segmenti tjetër nga ura e Vashës deri në hyrje të fshatit Plani i Bardhë. Por më problem mbetet siguria për banorët e fshatit Xibër, që në mungesë në një nënkalimi, rrezikojnë si nxënësit e shkollave edhe fermerët që kalojnë në anën tjetër të tokave të tyre.