Asfaltimi i rrugës Perlat – Lurë brenda një muaji?
E teksa rruga nga Peshkopia në Lurë është asfaltuar e gjitha, në pritje mbetet segmenti tjetër që lidh Lurën me Matin e Mirditën. Nga Lura deri në vendin e quajtur “Livadhi turkut”, po punohet aktualisht për ta bërë gati për shtresën asfaltike. Deri tani janë asfaltuar disa segmente deri në afërsi të Kurbneshit. Burime pranë kompanisë, e cila mori në zbatim projektin e lënë përgjysmë një vit më parë, thanë se puna po vijon pa ndërprerje dhe se shumë shpejt do të nisë shtrimi i asfaltit në të gjithë gjatësinë e rrugës. Deri tani thuajse i përfunduar është segmenti nga hyrja në Perlat deri në afërsi të Kurbneshit, ku traseja është përfunduar e gjitha ndërsa janë asfaltuar disa pjesë. Aktualisht po punohet edhe për ndërtimin e tre urave, pasi ato ekzistuese nuk janë të sigurta apo nuk e kanë hapsirën e nevojshme për të kaluar automjetet pas asfaltimit. Të njëjtat burime thanë se kompania ka planifikuar hedhjen e plotë të asfaltit në të gjithë gjatësinë prej 40 kilometrash, në një hark kohor prej një muaji. Megjithatë, mbetet për tu parë nëse edhe kompania e dytë që mori zbatimin e projektit do të jetë në gjendje ta përfundojë në kohë në mënyrë që sezoni turistik në Lurë të nisë me rrugë të re në të dy anët, nga Dibra dhe nga Mirdita.