I ashtuquajturi “Koridori i Matit”, rruga që do të lidhte atë të Arbrit me Rrugën e Kombit dhe që kalon nga Ura e Matit në Rrëshen, është gati e pakalueshme. Kjo është gjendja e saj në një ditë me shi si e sotmja.

Milionat e eurove të investuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vitet 2011 – 2013 kanë shkuar dëm pasi rruga ka funksionuar normalisht vetëm 6 muaj pasi u ndërtua. Drejtuesit e mjeteve shprehen se gjendja është katastrofike dhe se duhet të përballen me të çdo ditë.

Në vitin 2015 me zbatimin e reformës administrative-territoriale, Këshilli i Qarkut Dibër, kërkoi që këtë rrugë tja kalonte Bashkisë së Matit, por kjo e fundit nuk e mori, për shkak të gjendjes së degraduar dhe se rruga ishte ndërqytetase. Gjatë këtyre viteve, institucionet janë përplasur me njëra-tjetrën mbi pronësinë e rrugës. Bashkia e Matit i ka kërkuar vazhdimisht ARRSH që ta marrë në inventar, por kjo e fundit mori paraprakisht vetëm 4.3 kilometra, ndërsa mbeten ende 27 kilometra. Në një përgjigje zyrtare, Bashkia thotë se nuk e ka në pronësinë e saj këtë segment rrugor dhe këtë e ka bërë të ditur edhe në institucionet qëndrore. Bashkia pranon se ka bërë pastrim herë pas here të aksit për shkak se ai përdoret edhe nga banorët e saj, por jo si pronar i rrugës. Nga ana tjetër, thotë se për këtë ka vënë në dijeni Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar si dhe Drejtorinë e Rajonit Verior Shkodër, por që problemi nuk është zgjidhur.

Në përgjigjen e tij zyrtare, bazuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se ka pranuar kërkesën e Bashkisë së Matit dhe se do t’i propozojë Këshillit të Ministrave ta miratojë për ta inventarizuar dhe më pas ARRSH të operojë si me të gjitha rrugët e tjera nacionale.