Arrestohet Piloti i Kërkuar për Skandalin e AKSHI-t, Kapet Mbi Central Bërthamor në Francë
Ermal Beqiraj, i kërkuari për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është arrestuar nga autoritetet franceze në rrethana të pazakonta.
Pas ndalimit nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, teksa Beqiraj ishte duke fluturuar me një avion mbi centralin bërthamor të Penly, piloti shqiptar deklaroi se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme. Ai pretendoi se në ato momente, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon.
Megjithatë, përgjigjet e tij ngjallën dyshime te policia franceze. Për këtë arsye, pas komunikimit me palën shqiptare, u vendos arrestimi i tij, pasi rezultoi se bëhej fjalë për Ermal Beqirajn, personin e shpallur në kërkim. Gjithashtu, raportohet se pilotit shqiptar iu gjetën edhe tre pajisje "Airtag".