arku Tematik Retro Bulqizë, “Divizioni” që vazhdon të gllabërojë para nga taksat e shqiptarëve
Projekti i Parkut Tematik Retro “Divizioni” në Bulqizë vijon të zgjerohet financiarisht, teksa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tjetër procedurë tenderimi, këtë herë për projektimin dhe ndërtimin e hotelit që do të jetë pjesë e kompleksit turistik. Prokurimi është hapur në datën 16 Nëntor dhe do të mbyllet me datë 2 Dhjetor të po këtij viti. Bëhet fjalë për lotin e tretë të këtij investimi që është ndërtimi i një hoteli. Vlera e tenderit të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është rreth 96 milion lekë të rinj ose afro 1.06 milion euro. Sipas dokumentacionit të tenderit, godina ekzistuese, ish-shtëpia e Oficerëve, do të shembet për shkak të paqëndrueshmërisë së strukturës dhe do të zëvendësohet me një ndërtesë të re trekatëshe, me sipërfaqe rreth 1,208 metra katrorë. Projekti parashikon ruajtjen e formës së ndërtesës së mëparshme, ndërsa ambientet e brendshme do të përshtaten me tematikën retro të parkut. Investimi në parkun tematik ka kaluar tashmë 423 milionë lekë pa TVSH, duke përfshirë dy procedurat e mëparshme të zhvilluara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Me shtimin e fondit limit prej 95.7 milionë lekësh për hotelin, vlera e tre procedurave arrin në rreth 519.2 milionë lekë pa TVSH, ose afërsisht 5.6 milionë euro, me këmbimin e sotëm valutor.