Sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken ishte të enjten në vendin tonë në një vizitë të planifikuar me në fokus bashkëpunimin strategjik me Shqipërinë. Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të shtetit, por që shmangu çdo takim me opozitën. Nisur edhe nga kjo, qytetarët e prononcuar për mikrofonin tonë e komentojnë vizitën e Blinken në Tiranë si një strategji e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet ndërkombëtare dhe jo për çështjet e brendshme të vendit tonë. Shumë prej tyre u shprehën se kjo ishte një “shuplakë” edhe për kryetarin e PD zyrtare Lulzim Basha që Blinken nuk e takoi gjatë orëve të qëndrimit në Shqipëri.

Blinken mbërriti në vendin tonë rreth orës 11 të së Enjtes dhe pasi zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë u largua rreth orës 20 e 30 minuta. Gjatë kësaj kohe, në më pak se 10 minuta takim që Sekretari amerikan i Shtetit pati mundësi të takonte krerët e 4 institucioneve të drejtësisë, ai dha mesazhin e tij mbi atë që SHBA presin nga Reforma në Drejtësi, që e mbështetën dhe financuan.