Apeli i Ramës pas aksidentit tragjik: Respekt për dhimbjen, jo sensacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Në postimin e tij, Rama thekson se ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtësia po bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve, por veçanërisht e mediave, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
Kreu i qeverisë theksoi se publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e "hienizon" botën e informacionit.
Rama apeloi për respekt ndaj dinjitetit njerëzor dhe dhimbjes së familjeve, duke e vendosur atë mbi çdo sensacion apo klikim. Ai bëri thirrje për solidaritet, humanizëm dhe njerëzillëk në këtë ditë tragjike.