Hamzi Rama është një nga shumë të dëmtuarit si pasojë e hapjes së rrugës së re që lidh Peshkopinë me Maqellarën. Segmenti nga fshati Erebarë deri në hyrje të qytetit të Peshkopisë ka prishur shumë prona të banorëve, të cilët ende nuk janë dëmshpërblyer. Një nga ata është edhe Hamzi Rama nga fshati Melan. Ai tregon se ndërtimi i rrugës bëri dëme në prishjen e parcelave me pemë frutore, kanalet vaditëse etj. Fermeri shprehet se për dëmet që i janë shkaktuar nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim. Po jo vetëm kaq, ai thotë se as që janë pyetur gjatë fillimit të punimeve pavarësisht se nuk do t’i kishin penguar. Hamzi Rama tregon se banorët i kanë kërkuar Bashkisë Dibër që të mbrojë interesin e tyre dhe të mos lejojë firmën që të bëjë çfarë të dojë me pronat e taksapaguesve dibranë.
Aktualisht është hapur vetëm një pjesë e segmentit të ri të rrugës Erebarë – Peshkopi, ndërsa dëmet tek banorët pritet të rriten pas ndërhyrjes në pjesët e papërfunduara.