Dëmtimi i kanalit vaditës në fshatin Peladhi, të Njësisë Administrative në Zerqan në Bashkinë e Bulqizës, ka bërë që disa familje të dëmtohen pasi uji përfundon brenda banesave tyre. Ilir Hysa është një prej familjeve më të dëmtuara nga bllokimi i kanalit vaditës. E gjithë banesa e tij është e lagësht për shkak të prezencës së ujit të kanalit. Iliri shprehet se për këtë problem, i është drejtuar disa herë Bashkisë Bulqizë, por nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje. Ai është detyruar të blejë një aparaturë që mbledh lagështinë në shtëpi, por sasia e lagështirës është tejet kapaciteteve të saj.
Nga ana tjetër, Ilir tregon se veç ujërave të shiut në kanal kanë përfunduar edhe ujërat e zeza duke rritur rrezikun e infeksioneve. Apeli i tij shkon për pushtetin vendor në Bulqizë që të ndërhyjë sa më parë.
Ndërkohë, mësohet se janë disa banesa që e kanë këtë problem dhe që presin zgjidhje urgjente nga autoritetet vendore në Bulqizë.