Në Bashkinë e Dibrës janë me dhjetra hektarë tokë të mbjella me pemë frutore të qershisë duke siguruar në treg dhjetra ton qershi. Por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit prodhuesit e qershisë në Dibër po përballen me rënia të madhe të çmimit. Prodhuesit që kanë zgjedhur qytetin e Peshkopisë për të shitur prodhimet e këtij sezoni shprehen se çmimi për kilogram ka rënë përtokë pasi grumbulluesit nuk ofrojnë më shumë se 30 deri në 40 lekë për një kilogram qershi. Por ky çmim sipas prodhuesve nuk mbulon as koston e punëtorit që i vjel nga pema. Por si të mos mjaftonte kjo, prodhuesit e qershisë së Dibrës vuajnë mungesën e një tregu të organizuar, çka i detyron ato të shesin në trotuare.

Për shkak të mungesës së shitjes, prodhuesit e qershisë shprehen se prodhimin e pashitur e hedhin. Në Dibër janë rreth 300 HA të mbjella me Qershi, duke e bërë këtë zonë ndër prodhuesit më të mëdhenj në vend të këtij fruti.