Ankohen fermerët për bllokimin e ujit vaditës nga rikonstruksioni i rrugës Burrel – Klos
Tetë vite më parë rruga nacionale Burrel – Klos iu nënshtrua një rehabilitimi të plotë duke ndryshuar totalisht gjendjen e këtij aksi i cili ishte kthyer në makth për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Por ndërsa për këta të fundit, ky rikonstruksion zgjidh problemin, për shumë bujq ka krijuar probleme të tjera. Të gjitha ata që kanë toka bujqësore poshtë rrugës e kanë të vështirë të marrin ujin vaditës i cili vjen nga kanali i Klosit pasi daljet janë lënë jo në vendin e duhur. Florenc Kurti thotë se ka problem me vaditjen e pacelës së tij me misër në fshatin Shulbatërr pasi dalja e ujit është lënë në fund ku është më ulët se fillimi i parcelës teksa vjen nga Klosi. Për këtë thotë ai duhen improvizuar mjete primitive për ta dërguar ujin tek të gjitha bimët e mbjella. Problem të ngjashëm e kanë edhe shumë bujq të tjerë në të gjithë luginën e Matit që kanë tokë bujqësore poshtë rrugës automobilistike.