“Feudali” shqiptar i drogës, Erald Mema, 34 vjeç, që përmbyti Britaninë me kokainë disamilionëshe të klasit A, do të paguajë në formën e shlyerjes së dëmit të shkaktuar prej fitimeve të tij të pandershme shumën e vetëm 14.380 paundëve.
Ndaj bosit të krimit, u dha dënimi me 25 vjet burg në tetorin e shkuar, pasi kishte shërbyer si “koka” e “një komploti kombëtar të kokainës”. 34-vjeçari, ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij, sollën drogën e klasit A nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar dhe e shpërndanë përqark Oxfordshire-t dhe më gjerë.
Ditën e djeshme, në seancën gjyqësore për të rikuperuar fitimet e tij të pandershme, CPS-ja kërkoi shumën e vetëm 14.380 £, ndonëse të ardhurat që kishte gjeneruar nga ky aktivitet kriminal arrinin në miliona paund. Gjykatësi kryesues, Peter Ross, reagoi me indinjatë ndaj vendimit dhe tha: “Ky është një njeri në duart e të cilit kanë rënë miliona paundë kokainë”.
“Ky është një njeri i cili përballë provave që kam dëgjuar në gjyq ka përfituar shumë nga operacioni i jashtëzakonshëm i drogës. Ai është një njeri që po organizonte atë që ishte pa dyshim një grup i organizuar kriminal, duke marrë kokainë në pikën e importit, duke menaxhuar shpërndarjen e saj me shumicë në Mbretërinë e Bashkuar në grupe të tjera të rëndësishme të krimit të organizuar. Ideja se asetet e tij të vetme aktive janë nën 14,500 është thjesht qesharake.”
Memës iu dhanë tri muaj kohë për të paguar paratë dhe për të lejuar ankandin e orës së tij “Rolex”. Nëse ai nuk e respekton këtë afat, do të vuajë edhe tre vjet e gjashtë muaj burg që i shtohet dënimit të paradhënë.
Gjatë gjyqit të Memës, i cili u mbajt në “Oxford Croën Court” në tetor, u zbulua se ai kishte qenë në krye të një komploti të drogës në të gjithë Britaninë, në periudhën mes qershorit dhe 2 dhjetorit të 2016-s.
Mema ka mohuar çdo përfshirje në rrjetin e trafikitmit të drogave dhe jurisë iu deshën nëntë orë e 12 minuta për ta shpallur fajtor. Pas arrestimit të një prej bashkëpunëtorëve të tij – vartësit të Memës, Khalad Uddin, oficerët gjetën qindra mijëra paund para në apartamentin e tij.
Dënimi i komunikuar nga gjyqtari Peter Ross, i cili kryesoi çështjen për dy muaj, u arsyetua me argumentin se Mema kishte drejtuar një bandë “të sofistikuar dhe të organizuar”.
Ai tha: “Organizata që ju drejtuat furnizoi me miliona paundë kokainë të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
“Ju jeni një fenomen i rrallë, ju ishin “truri” i këtij operacioni të krimit të organizuar.
“Askush që lexon gazetat, shikon lajmet, nuk mund të ketë dyshime se ndërmarrjet kriminale si e juaja, gjenerojnë dhunë, dhunë serioze, që përfshin përdorimin e armëve dhe të thikave”. /
Burimi: Oxford Mail.