Ekipi i Burrelit ditën e shtunë zhvilloi ndeshjen më të shëmtuar nën drejtimin e trajneri Samuel Nikaj.

Trajneri shkodran ka bërë një punë të shkëlqyer e cila nuk mund ti mohohet pasi shumicën e ndeshjeve i dominon përgjatë 90 minutave.

Lojë e bukur me shumë pasime dhe sulme si nga qendra po ashtu edhe nga krahët.

Por prej disa ndeshjeve po fillojnë të duken limitet e para të ekipit.

Në 4 ndeshjet e fundit Burreli ka humbur dy ndeshje deçizive kundër Korabit dhe Dinamos si dhe ka fituar me shumë vështirsi ndaj dy ekipeve të tjera.

Ndaj Dinamos dhe Korabit në fushë kundërshtare mund edhe të humbasësh, por nëse në dy ndeshje vendimtare ti nuk e rrezikon kurrë kundërshtarin atëherë një këmbanë alarmi duhet ngritur.

Lojtarët nuk po tregojnë shpirtin e duhur luftarak edhe pse kryebashkiaku Agron Malaj si dhe administratori Ballabani janë munduar ti motivojnë lojtarët me premio të majme.

Ekipi i Nikajt e vuan shumë presionin e kundërshtarëve.

Kjo u pa për herë të parë ndaj Erzenit ku ekipi fali një avantazh të dyfishtë dhe tre pikë që dukeshin të sigurta.

Raboshta shpeshherë ndodhet vetëm dhe pa mbështetje në zonën kundërshtare duke ja lehtësuar mbrojtjeve kundërshtare mbulimin e tij.

Samuel Nikaj duhet të “shkundë” ekipin pasi faza e nxehtë nuk ka kaluar por sapo ka filluar.

Nga Arlindo Vani