Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është zhvendosur sot në Burrel, ku po mbledh firmat për peticionin për rindërtimin e teatrit aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.
Mësohet se Aleancës i janë bashkuar në protestë edhe qytetarë dhe aktivistë, të cilët nën logon “Demokracia nuk është dhuratë, demokracia është kusht” janë sensibilizuar me artistët që ishin kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Duke komentuar deklaratat e Presidentit, Ilir meta të bëra mbrëmjen e shkuar sipas të cilit, shembja e Teatrit i intereson lobit pro serb në Uashington për destabilizimin e Shqipërisë, aktori dhe regjisori, Edmond Budina tha se ka një lëvizje të madhe anti- shqiptare që ka punuar dhe punon për të keqen e vendit tonë. Ai i bën thirrje për mbrojtje të identitetit kulturor.
“Një pushtet që i varfëroi njerëzit, dhe kulmi ishte Teatri. Ashtu si në natën e famshëm të kristaleve hynë me automatikë të përzënë artistët që kishin prej 2 vitesh që protestonin në mënyrë paqësore. Rama vijon të gënjejë. Ne e pushtuam Teatrin vetëm në 24 korrik, dhe e çliruam në fakt, se deshën ta vidhnin, dhe e vodhën. Varrosën gjithë vlerat që kishin brenda.
Në krye të Teatrit Kombëtar kishim vendosur flamurin kombëtar, ata nuk pyetën as për të. Ta hiqnin atë dhe ta shembnin, si turqit në kohën e Skënderbeut edhe këta shkelin flamurin kombëtar.
Na takon ne sot pa pasur parasysh se çfarë partie i përkasim, besimin fetar, krahina, të gjithë duhet të jemi bashkë. Të shembim këtë të zezë. Shihni çfarë punojnë ata. Edhe sot kanë filluar të përçajnë edhe brenda partive opozitare, LSI, PD etj. Gjejnë mënyrën për të futur bindje përçarje. Të ngrihemi së bashku, ti shporrim. Sepse ky sekt është rrezik i madh.
Nuk e di nëse dëgjuar dje Presidentin Meta, por e kuptoni se ka një lëvizje të madhe anti- shqiptare, anti- kombëtare. O sot, o kurrë, të mbrojmë identitetin kombëtar që armiqtë e Shqipërisë kanë punuar për të keqen. Bëhuni të gjithë bashkë për ta shporrur këtë klikë uzurpatore”- tha Budina.