Kompania e minierave, nën pronësinë e Samir Manes, njeriu i cilësuar si më i pasuri në Shqipëri,  pretendon se aktivisti Jani Marka i ka cenuar imazhin me thënie të pavërteta në lidhje me numrin e minatorëve të vdekur në aksidente në punë në minierën e Bulqizës.

Një nga kompanitë e Samir Manes, pronari i grupit të kompanive Balfin, me aktivitet në fushën e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit, ngriti padi për shpifje ndaj aktivistit Jani Marka duke kërkuar një dëmshpërblim në masën 1 milionë lekë me pretendimin se një status në profilin e tij personal në Facebook përmban të dhëna të pavërteta dhe si të tilla, i cenojnë imazhin. Padia është ngritur nga kompania AlbChrome, e cila është nën pronësinë e grupit Balfin, ndërsa kjo e fundit është nën pronësinë 100% të Samir Manes.

Marka kreu postimin më 30 janar 2020 në profilin e tij personal ku ankohej për heshtjen e medias ndaj ngjarjeve në Bulqizë, ku një grup minatorësh tentuan të krijojnë një sindikatë të re por u pushuan nga puna shpejt pas krijimit të sindikatës.

“Si shpjegohet se pakkush guxon të përmendë emrin e Samir Manes?,” shkroi Marka në Facebook. “A mos është i parëndësishëm fakti se në pesë vjet janë vrarë në punë 43 minatorë? A mos jemi duke i rënë në qafë kot se është burrë i mirë? Arsyeja pse emri i Samir Manes nuk dëgjohet nga gojët e gjithollogëve është sepse Samir Mane përfaqëson nervin e sistemit ekonomik i cili është konsoliduar në këto 30 vjet kapitalizëm: oligarkisë.”

AlbChrome në aktpadinë e dorëzuar në gjykatë thotë se në minierat e kontrolluara nga grupi Balfin nga viti 2013 kur ky grup bleu koncesionin minerar Albchrome e deri në vitin 2019, në aksidente në punë kanë vdekur 8 minatorë.

Aksidente fatale (me humbje jete) nga 2013 deri në 2019 (ose sot) në Minierën e Kromit Bulqizë kanë qenë 8 punonjës, duke përfshirë edhe 4 punonjësit e nënkontraktorit të huaj kinez të quajtur Wenzhou”, shkroi kompania në aktpadi.

“Deri më sot, nga momenti kur miniera është marrë në administrim nga pala paditëse, kanë ndodhur 8 (tetë) aksidente me pasojë vdekjen (njëri nga të aksidentuarit ka ndërruar jetë pas aksidentit) dhe jo 43 sikurse kuptohet nga postimi i palës së paditur,” vijon më tek aktpadia.

Për këto shkaqe, AlhChrome kërkon që i padituri të përgënjeshtrojë deklaratën e tij në profilin e tij në Facebook si dhe të dëmshpërblejë dëm jopasuror në masën 1 milionë lekë.

Pas marrjes së padisë, Organizata Politike, një grupim i të majtës, publikoi të dhëna nga raporte të ndryshme të inspektoratit të punës si dhe të dhëna të grumbulluara prej tyre nga deklaratat e policisë për aksidentet, në të cilat tregohet se 45 është numri i minatorëve të vdekur në punë në të gjithë industrinë minerare të vendit mes viteve 2013 dhe 2019, duke sugjeruar se pyetja retorike e Markajt i referohej industrisë minerare në tërësi dhe jo kompanisë AlbChrome në veçanti.

Kompania AlbChrome operon pjesën më të madhe të kompleksit minerar të Bulqizës ku krahas kësaj kompanie, operojnë edhe disa dhjetëra kompani të tjera më të vogla.

Një zëdhënës i Balfin i tha BIRN se kompania AlbChrome është e gatshme të tërheqë padinë në rast se Marka pranon të përgënjeshtrojë vetveten në faqen e tij në Facebook.

“AlbChrome bën me dije se do te mjaftonte edhe një përgënjeshtrim i drejtpërdrejtë i z. Marka apo nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor (nëse ka vendosur të ketë), ndaj kompanisë AlbChrome, që kjo e fundit të tërhiqte padinë e saj,” tha zëdhënësi.

Marka i tha BIRN se e shikonte padinë si një formë presioni ndaj aktivistëve me synimin për të penguar lirinë e shprehjes dhe organizimit.

Padia pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.

Kjo nuk është hera e parë që biznesi përballet në procese gjyqësore për shpifje apo cenim imazhi me aktivistët.

Më herët, kompania Gener 2, një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike për ndërtimin e rrugëve, hodhi në gjyq aktivistët që luftojnë kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Valbonë nga kjo kompani. Gener kërkoi 200 milionë lekë dëmshpërblim për cenim imazhi. Gjykata e Tiranës e rrëzoi padinë si të pabazuar në ligj.

Një vendim i gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut i njohur si Steel dhe Morris kundër Mbretërisë së Bashkuar i vitit 2005 konsiderohet gjerësisht si një referencë që ka mbyllur mundësitë për korporatat që të ngrenë pretendime për shpifje ndaj aktivistëve, duke i dhënë të drejtë këtyre të fundit, jo vetëm që të protestojnë, por edhe të ekzagjerojnë.

Në këtë çështje ligjore, kompania McDonalds e rrjetit të hamburgerëve iu drejtua gjykatave britanike kundër një organizate mjedisore vendëse, e cila kishte publikuar një pamflet në të cilin McDonalds akuzohej si shkaktar kanceri dhe vdekjeje dhe sëmundjesh, si korporatë imperialiste, si fajtore se pse në botë ka varfëri dhe pse njerëzit në vendet e botës së tretë vuajnë nga uria. Ajo u akuzua gjithashtu si fajtore për shkatërrimin e pyjeve tropikale.

Gjykatat britanike gjetën fajtorë aktivistët duke i dënuar ata t’i paguanin dëmshpërblim korporatës ndërkombëtare, e cila në atë kohë ishte simbol i kapitalizmit. Por ndryshe nga gjykatat britanike, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) shkarkoi aktivistët nga përgjegjësia dhe i akordoi atyre një dëmshpërblim për stresin e pësuar nga procesi gjyqësor dhe padrejtësia që u ishte shkaktuar nga gjykatat britanike.

GJEDNJ gjeti se ligjet e Britanisë së Madhe mbi shpifjen ishin të padrejta dhe se korporatat duhej të ishin të hapura ndaj kritikave, veçanërisht për çështje të interesit publik të tilla si ushqimi dhe mjedisi. Gjykata gjeti gjithashtu se sistemi britanik i drejtësisë ishte treguar i padrejtë duke ngarkuar me përgjegjësi gjyqësore dy aktivistët si dhe i dha shpërblim aktivistëve për stresin që duhet të kenë pësuar nga vetë ekzistenca e padisë.

Britania e Madhe u dënua në këtë rast edhe për faktin që nuk kishte ofruar ndihmë ligjore falas për të paditurit që përballeshim me një korporatë me burime të pafundme. Gjykata përcaktoi se pavarësisht seriozitetit të të dhënave të pamfletit, gjykatat britanike kishin dështuar t’i ngarkonin Mc Donalds detyrën që të provonte se nga shpërndarja e fletushkës kishte pësuar dëm ekonomik, fjala vjen, i kishin rënë shitjet apo fitimet. 

Marrë nga reporter.al