Maturantët testohen në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Maturantët testohen në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Maturantët në mbarë vendin zhvilluan këtë të martë provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë në lëndën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Ashtu si në provimin e lëndës së gjuhës së juaj, edhe në provimin e radhës maturantët u mblodhën pranë qendrave të provimit që në orën 8 e 30 minuta, ku administratorët dhe vëzhguesit bënë apelin e tyre për të hyrë në sallën e provimit. Edhe në këtë provim, maturantët e të gjitha gjimnazeve dhe shkalleve të mesme të bashkuara të Bashkisë Mat u mblodhën pranë gjimnazit “28 Nëntori” në qytetin e Burrelit. 182 maturantë morën pjesë në këtë provim nga 185 që janë në total për vitin shkollor 2025 – 2026. Administratorët e provimit dhe stafi i mbarëvajtjes së procesit monitoruan gjithçka me detaje. I gjithë provimi është zhvilluar normalisht ku maturantët patën mundësinë t’ju përgjigjeshin pyetjeve nga ora 10:00 deri në orën 12 e 30 minuta. Edhe 91 maturantët e Bashkisë Klos zhvilluan provimin e dytë të Maturës Shtetërore pranë qendrës së provimit e cila është vendosur pranë gjimnazit “Shaban Çollaku”. Edhe në Klos procesi është zhvilluar normalisht dhe se nuk është shfaqur asnjë problematikë që mund të cënojnë provimin. Në ndryshim nga provimi i parë, teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë qarkulloi në rrjetet sociale rreth gjysmë ore pas nisjes së procesit. Lidhur me publikimin e tezës, Ministria e Arsimit bëri të ditur se është identifikuar qendra e provimit në Qarkun e Kukësit nga ku është shpërndarë. Maturanti që publikoi tezën u përjashtua menjëherë nga provimi, ndërsa masa u morën edhe për administratorët.