Rënia e ndjeshme e temperaturave mbrëmjen e së hënës ka shkaktuar prani të madhe akulli në rrugët nacionale e rurale të Qarkut Dibër, duke krijuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve. Situata më problematike është regjistruar në bypassin e Murrizit të Rrugës së Arbrit, ku gjatë orëve të mëngjesit rruga është bërë vështirësisht e pakalueshme për shumë automjete dhe ka rrezikuar sigurinë e udhëtarëve.

Segmenti më kritik i Rrugës së Arbrit mbetet ai në afërsi të kufirit mes Tiranës dhe Klosit, si dhe në fshatin Bastar Murrize, ku prania e ujit që ka ngrirë e ka kthyer rrugën në një kurth për drejtuesit e mjeteve. Shoferët shprehen se problematika e kësaj rruge është e përhershme, jo vetëm gjatë ngricave, por edhe gjatë ditëve me shi, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente.

Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga firma kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës. Ata theksojnë nevojën për kriposje dhe pastrim të akullit, për të siguruar kalueshmërinë dhe për të shmangur aksidentet, të cilat janë bërë të zakonshme në këtë segment të rrugës së Arbrit.

Bypassi i Murrizit mbetet një nga pikat më të rrezikshme të qarkullimit në qarkun Dibër, ku sipas raportimeve, aksidente ndodhin pothuajse çdo ditë. Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe normalizimin e qarkullimit.