Policia e Dibrës njofton se ka ndaluar dy persona pasi tentuan të kontrabandonin 3 krerë gjedhë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim tregtimin e tyre. 

Në një deklaratë për mediat thuhet se Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bllatë, si rezultat i patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë goditur një tjetër rast të tenativës së kontrabandimit të bagëtive të trasha nga Maqedonia e Veriut drejt territorit shqiptar.   

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit M.C., 69 vjeç dhe A.C., 38 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Bllatë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin bagëti të trasha në Maqedoninë e Veriut, do ti kontrabandonin ato, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në territorin shqiptar, dhe më pas do ti shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër,  për veprime të mëtejshme.