Një aksident automobilistik ka ndodhur mesditën e kësaj të shtune në dalje të qytetit të Peshkopisë tek ish SMT-ja. Dy mjete janë përplasur kokë më kokë duke shkaktuar lëndimin e tre personave.

 Sipas policisë mjeti tip Mercedes me drejtues J.Hima ka goditur mjetin BMV me drejtues shtetasin F.Gjiza. Për pasojë janë lënduar   dy pasagjerët e BMV-së si dhe drejtuesi i Mercedesit. Për fat të mirë të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor i cili po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të këtij aksidenti në një rrugë si ajo e zonës së ish SMT-së, ndërsa po shqyrtohen dy versionet; ai i manovrimit të gabuar të drejtuesit të mjetit me targa angleze dhe lagështia në rrugë pas shiut të rrëmbyeshëm të ditës së shtunë.