Një aksident është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në bypassin e Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit.

Një mjet tip “Audi” që lëvizte në drejtim të Tiranës është përplasur me një mjet transporti mallrash që lëvizte në drejtim të Qarkut Dibër.

Aksidenti është regjistruar rreth 1 kilometër nga Qafa e Murrizit në fshatin Bastar të Tiranës.

Si pasojë e përplasjes kanë marrë lëndime të lehta personat që ndodheshin në mjetin tip “Audi” dhe drejtuesi i mjetit tip “furgon”, por pa pasoja të rënda.

Aksidenti ka shkaktuar radhë të gjata të automjeteve që lëvizin në të dy drejtimet, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për lirimin e trafikut. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe dy autoambulanca, të cilat u ofruan asistencë mjekësore personave që ndodheshin në të dy automjetet.

Grupi hetimor ishte në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit. Ekspertët e qarkullimit kanë vlerësuar kthesën ku ndodhi aksidenti automobilistik si kthesa më problematike e bypassit të Murrizit, ku thuajse çdo ditë ka përplasje të automjeteve.