Aeroporti i Vlorës drejt Zgjidhjes së Kontratës, Pacolli Paralajmëron Arbitrazh Ndërkombëtar

Aeroporti i Vlorës drejt Zgjidhjes së Kontratës, Pacolli Paralajmëron Arbitrazh Ndërkombëtar

Konflikti i zgjatur mes aksionerëve të Aeroportit të Vlorës, i cili ka shkaktuar vonesa disamujore në përfundimin e veprës infrastrukturore, duket se do të gjejë zgjidhje me prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti, i nisur në vitin 2021 dhe i parashikuar të përfundonte brenda tre vitesh, ka hasur vazhdimisht shtyrje pas mosmarrëveshjeve mes aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi mbi ndarjen e aksioneve. Me aeroportin që duhej të ishte operacional brenda vitit 2025 dhe punimet ende të papërfunduara, qeveria po konsideron prishjen e njëanshme të kontratës si zgjidhje për zhbllokimin e projektit.

Sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër pas lajmit se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke paralajmëruar arbitrazh ndërkombëtar nëse ky vendim konfirmohet.

Sipas Pacollit, kompania MABCO Constructions SA nuk është njoftuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare, por e ka mësuar lajmin përmes mediave. “Për një investim strategjik të kësaj rëndësie, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet e shtetit”, deklaroi ai.

Pacolli pretendon se MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Ai theksoi se në muajin maj, kompania kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ishte pranë certifikimit të aeroportit, por punimet u penguan. Edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, MABCO u mbajt për muaj të tërë jashtë kantierit, ndërsa u dëmtuan, shkatërruan dhe vodhën pajisje me vlerë.

Ai akuzoi shtetin shqiptar për neglizhencë, papërgjegjshmëri dhe veprime të kundërligjshme, duke theksuar se pengesat institucionale kanë sjellë vonesa dhe dëme financiare. “Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër përpiqen ta përdorin pikërisht këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës”, u shpreh Pacolli. Kjo, sipas tij, bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, Kontratën e Koncesionit, Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe me parimin themelor të së drejtës.

Pacolli paralajmëroi se, në rast të zyrtarizimit të procedurës për prishjen e kontratës, MABCO do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë arbitrazhin tregtar dhe atë ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë. “Arbitrazhi nuk është kërcënim, është realiteti i krijuar si pasojë juridike e veprimeve të kundërligjshme dhe mosveprimeve të atyre që kishin detyrimin të mbronin ligjin, investimin dhe interesin publik”, tha Pacolli. Ai shtoi se çdo faturë financiare që mund të lindë nga një proces i tillë do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë, bizneset dhe vetë shtetin, duke kritikuar kulturën e pandëshkueshmërisë që dëmton interesin publik dhe klimën e investimeve.

MABCO thekson se ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin, duke e respektuar atë pa kompromis.