8 PUSHUES BLOKOHEN NË DRININ E ZI, PAS HAPJES SË PORTAVE TË HIDROCENTRALIT TË SPILES

8 PUSHUES BLOKOHEN NË DRININ E ZI, PAS HAPJES SË PORTAVE TË HIDROCENTRALIT TË SPILES

Tetë pushues nga Shijaku, pjesëtarë të dy familjeve, janë bllokuar pasditen e së dielës në rrjedhën e Drinit të Zi, pranë Urës së Re të Gjoricës, në afërsi të Rrugës së Arbrit. Dy familjet, me pjesëtarë të grupmoshave të ndryshme, kishin zgjedhur brigjet e Drinit të Zi për të kaluar disa orë pushimi. Ata kanë qëndruar mes dy rrjedhave të lumit, pa pasur informacion se nga pala maqedonase do të hapeshin dy porta të hidrocentralit të Spiles. Pas hapjes së portave, niveli dhe prurjet e ujit janë rritur, duke bërë që tetë pushuesit të mbeten të bllokuar në mes të lumit, pranë Urës së Gjoricës. Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Bulqizës, shërbimet zjarrfikëse të Bulqizës dhe Dibrës, si dhe strukturat e tjera të emergjencave, duke bërë të mundur nxjerrjen e pushuesve nga bllokimi mes ujërave në mënyrë të sigurt. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, thotë se ky është rasti i dytë brenda dy javësh që po bllokohen pushuesit në rrjedhën e Drinit të Zi. Sipas tij, në të dyja rastet janë përfshirë tre familje. Prefektura e Dibrës do të kërkojë bashkëpunimin e Policisë për informimin dhe sinjalizimin e pushuesve që frekuentojnë brigjet e Drinit të Zi, veçanërisht për rrezikun që paraqet hapja e portave të hidrocentralit të Spiles dhe rritja e menjëhershme e prurjeve. Autoritetet kërkojnë që edhe pushuesit të tregojnë kujdes dhe të shmangin qëndrimin në zonat e rrjedhës së lumit.