29 Nëntori, Dita e Çlirimit, ashtu si në të gjithë vendin është përkujtuar këtë të mërkurë edhe në Mat.
Dëshmorët e rënë gjatë luftës për liri u përkujtuan me një ceremoni të veçantë të zhvilluar pranë Varrezave të Dëshmorëve në qytetin e Burrelit, me pjesmarrjen e drejtuesve të Bashkisë Mat, të Bashkisë Klos, të institucioneve qëndrore në nivel vendor, Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, pasardhës të dëshmorëve e qytetarëve të shumtë.
Fjalën ceremoniale e mbajti Përgjegjësja e Sektorit të Turizmit, Historisë dhe Trashëgimisë Kulturore pranë Bashkisë Mat, Suzana Kurti.
Në emër të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, fjalën e rastit e mbajti nënkryetari i kësaj organizate, Liman Laçi.
Më pas në mënyrë ceremoniale u bënë homazhe nderimi dëshmorëve të atdheut dhe vendosja e kurorave me lule pranë obeliskut që ngrihet në kujtim të të rënëve për liri në varrezat e dëshmorëve të Matit.
Si në çdo datë përkujtimore të të rënëve për liri, homazhe nderimi dhe kurora me lule u vendosën edhe pranë bustit të dëshmorit të atdheut, Shahin Toçi, në qendër të qytetit të Burrelit.