Që prej fillimit të aktivitetit të me 18 Shkurt të vitit 1948 e deri më sot, në minierën e Bulqizës kanë humbur jetën 677 persona. Për 73 vite ekzistencë të kësaj miniere afërsisht 10 persona kanë vdekur çdo vit teksa punonin në galeritë nëntokës. Duke marrë shkas edhe nga ngjarja e fundit ku humbi jetën tragjikisht Muharrem Plaku, një grup të rinjsh të organizuar nga gazetari Sami Curri, ndezën mbrëmjen e së premtes 677 qirinj në përkujtim të 677 jetë të humbura në nëntokë.

Organizatorët, ish minatorët dhe qytetarë që morën pjesë thanë se qëllimi është përcjellja e një mesazhi ndaj shtetit dhe kompanive që operojnë në sektorin minerar; për më shumë siguri në punë, për më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie të shoqërisë, për më shumë vëmëndje ndaj familjeve që kanë humbur një familjar të tyrin teksa punonte në këto galeri etj.

Vetëm gjatë të këtij viti, në Minierën e Bulqizës kanë humbur jetën tre minatorë dhe shumë të tjerë janë plagosur.