Në 6 muajt e parë të vitit 2021, Ministria e Financave ka paguar 3 miliardë lekë për 7 kontratat koncesionare.

Sipas publikimit të Open Spending Albania, kompania “Gjoka 87”, ka marrë dy transaksione parash me vlerën më të madhe, në total, 12 milionë dollarë. “Gjoka 87” është shoqëria koncesionare që po punon me Rrugën e Arbrit.

Shoqëria që zë vendin e dytë për shumën më të madhe të paguar nga qeveria është “Integratet Energy BV SPV”me 6.9 milionë dollarë. Kjo shoqëri paguhet nga Bashkia Tiranë për “Ndërtim Landfilli për depozitim të mbetjeve urbane”.

“Albanian Highway Concession” është paguar me një transaksion prej 3.55 milionë dollarësh. Kjo kompani administron rrugën Milot-Morinë.

Shoqëria koncesionare “ECOCLEANING”,  ka marrë për 6 muaj 2.5 milionë dollarë, të ndara në 23 transaksione. Kjo shoqëri ka fituar kontratën koncesionare për Shërbim pastrim, grumbullim, transport, seleksionim të mbetjeve urbane  nëpërmjet ndërtimit të impiantit dhe diferencimit, për Qytetin e Kamzës dhe Transferim te Autoriteti Kontraktor.

“Laboratory Networks sh.p.k” ofrues i Shërbimit Laboratorik të Spitaleve Universitare, Rajonale dhe atyre Bashkiake  ka arkëtuar gjatë këtij gjashtë mujori vlerën prej 1.5 milionë dollarësh.

“Integrated Techonolgy Waste Treatment Fier sh.p.k” ka arkëtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerën prej rreth 3 milionë dollarë. Kjo shoqëri është zbatuese e PPP Koncesion për Inceneratorin e Fierit.

“Albatek Energy Koncesionar” për Ndërtim dhe Administrim të Impiantit të Përpunimit të mbetjeve Urbane në qarkun Elbasan ka arkëtuar afërsisht 400 mijë dollarë.

Për 6 mujorin e parë të vitit 2021, qeveria ka paguar për shoqëritë koncesionare 31% të shumës që i pagoi atyre në të gjithë vitin 2020 dhe 21% të viti 2019.

Në vitin 2020, paratë e paguara nga buxheti i shtetit për shoqëritë koncesionare me PPP 9.6 mld lekë,  ra me 29% nga viti 2019, 13.7 mld lekë.

Arsye e uljes së shumës për PPP-të mund të jetë përfundimi i pagesave të HEC-eve si edhe vetë pandemia. Paratë  e disa koncesioneve u anuluan për të përballuar emergjencën e Covid-19.

Edhe gjatë 2020-s, paratë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit zuri masën më të madhe të financimit, me 26 mln dollarë.

Me ulje të financimit me rreth 31% në krahasim me vitin 2019.

PPP-ja e dytë më e financuar gjatë pandemisë ishte shërbimi i sterilizimit në spitale, ku u paguan 1.3 miliardë lekë ose 40 % më pak se viti 2019.

Inceneratori i Tiranës ishte PPP-ja e tretë më e financuar me rreth 10 milionë dollarë për vitin 2020, me një rritje të fondeve më 31% në raport me vitin 2019.

Koncesioni i rrugës së Kombit mori nga buxheti rreth 6 milionë dollarë financime me një rritje 42% në raport me vitin 2019.