Procesi i vaksinimit të popullatës kundër Covid-19 po vijon normalisht në të gjitha pikat e ngritura. Në Bashkinë e Dibrës numri i qytetarëve të vaksinuar deri tani me 1 dozë dhe dy doza ka arritur në 27 mijë. Këtë e konfirmojnë vetë drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësorë në Dibër.
Sipas tyre, procesi gjatë Gushtit ka vijuar sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku ka qenë i hapur vaksinimi për qytetarët mbi 18 vjeç.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që edhe muajin Shtator ta lërë muaj të hapur për të gjithë qytetarët që duan të vaksinohen me një nga vaksinat që gjenden aktualisht në vendin tonë.
Edhe në Dibër rastet e reja të infektimeve me koronavirus kanë ardhur në rritje. Në të gjithë qarkun janë mbi 140 të infektuar aktiv. Autoritetet shëndetësore ju bëjnë apel qytetarëve që të vaksinohen dhe në rast të shfaqjes së shenjave të sëmundjes, të njoftojnë menjëherë mjekun e familjes.
Po ashtu, një tjetër apel i autoriteteve është karantinimi i të gjithë personave të infektuar në mënyrë që do të mos bëhen shkak për përhapje të gjerë të virusit në komunitetin ku jetojnë.