22 Korrik 2026 NË KËRKIM PREJ 27 VITESH, ARRESTOHET NË ANGLI DIBRANI SABRI SOPOTI
Një 60-vjeçar nga Dibra, i cili ishte në kërkim prej 27 vitesh, është arrestuar në Angli. Sabri Sopoti, i cili në momentin e vrasjes ishte vetëm 33 vjeç, është arrestuar në Britaninë e Madhe pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia bën me dije se si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u kap në Angli, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Sabri Sopoti, 60 vjeç. Gjykata e Dibrës, e ka dënuar këtë shtetas, me 24 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur me datë 24.12.1999, ku shtetasi Sabri Sopoti ka vrarë me armë zjarri (automatik), shtetasin B. K. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 60-vjeçarit, në Shqipëri. Sabri Sopoti pritet që pas ekstradimit në vendin tonë të vuajë dënimin prej 24 vitesh, i dhënë nga Gjykata e Dibrës 27 vite më parë.