Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Në qendër të këtij takimi, kryeministrit Kurti dhe ambasadorit Minxhozi ishin marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, rezultatet e së cilës janë edhe nënshkrimi i gjithsej 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve, dhe për nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të deritanishme.
Në takim u tha se zbatimi i këtyre bashkëpunimeve ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e problematikave të mbartura ndër vite. Si rrjedhojë këto bashkëpunime janë gjithëpërfshirëse pasi prekin kryesisht fushat e sigurisë, tregtisë, drejtësisë, arsimit e kulturës.
Në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive, me 26 nëntor 2021 dhe 20 qershor 2022, janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore dhe ndërinstitucionale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ndërkaq ndër marrëveshjet e nënshkruara në korrik të vitit 2023, kryeministri Kurti dhe ambasadori Minxhozi folën për marrëveshjen për lehtësimin e procedurave të kontrollit për produktet me origjinë joshtazore, bashkëpunimin mes palëve për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit, vijimin e bashkëpunimit me fokus lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe marrëveshjen për dhurimin e portalit e-inspection.