Ka kaluar një muaj nga helmimi masiv i më shumë se 160 qytetarëve të lagjes së vjetër të Bulqizës dhe ende nuk ka një përgjigje zyrtare nëse ishte uji i pijshëm apo ndonjë faktor tjetër shkaku.
Ndonëse analizat bakterologjike dolën të pastra për rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm të më shumë se 4000 banorëve, ende priten analizat fiziko-kimike dhe toksikologjike që do të vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë.
Megjithëse ISSH në ditët e situatës së helmimit masiv u shpreh se duhen 2 javë për daljen e këtyre analizave, tashmë ka kaluar një muaj dhe përsëri nuk ka një përgjigje.
Drejtoritë nën varësi të ISHP në Bulqizë e Dibër, ja kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa qytetarët janë ende në panik, pasi nuk është shfuqizuar urdhëri për ndalimin e konsumimit të ujit të pijshëm të rrjetit.
Qytetarët vijnë të mos e konsumojnë ujin, ndërsa institucionet publike janë të detyruar që ta ziejnë fillimisht e më pas ta konsumojnë.
Është Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë i cili duhet të përgjigjet zyrtarisht dhe të mos mbajë “peng” 4 mijë banorë të Bulqizës.