Zyra qendrore e OSBE dënon dhunën në protestat e opozitës në Tiranë dhe kërcënimin e ambasadorit të OSBE, Bernard Borchardt.

Në një deklaratë udhëheqësit e OSBE shprehin shqetësim lidhur me protestat e dhunshme në Shqipëri. Ata bëjnë thirrje për përmbajtje dhe dialog.

Drejtuesit më të lartë të këtij institucioni dënojnë ashpër përdorimin e dhunës nga protestuesit gjatë protestës së 11 majit.

Po ashtu ata dënojnë kërcënimet drejtuar Shefit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Organizatës në përgjithësi. Ata gjithashtu i bënë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit që të tregojnë përmbajtje.

Deklarata e plotë :

Drejtuesit e OSBE-së shprehin shqetësim lidhur me protestat e dhunshme në Shqipëri, bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje maksimale dhe dialog

BRATISLAVË/KOPENHAGË/VJENË, 13 maj 2019 – Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, e dënuan sot me forcë përdorimin e dhunës nga protestuesit e kësaj fundjave në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, si dhe kërcënimet dhe përpjekjet për frikësim drejtuar Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri si dhe Organizatës në përgjithësi. Po ashtu, ata u bënë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të tregojnë vetëpërmbajtje.

Kryetari i Radhës, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së theksuan se e drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është një parakusht themelor i një shteti demokratik. Por institucionet e forta vendase – përfshirë, sidomos, një parlament të efektshëm – janë gurë themeli të demokracisë dhe thelbësore për qëndrueshmërinë politike dhe shtetin e së drejtës. Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme.

Ata falënderuan autoritetet shqiptare, që e morën menjëherë në mbrojtje banesën e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së dhe i nxitën të gjitha palët të tregohen të përmbajtura gjatë protestave të sotme. “Trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. Ato ndërpresin çdo mundësi për dialog – pra, çdo mundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët. Ne u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve politikë, si edhe qytetarëve të Shqipërisë të tregojnë përgjegjshmëri, të protestojnë paqësisht dhe të veprojnë me vetëpërmbajtje. OSBE-ja do të vijojë të mbështesë procesin demokratik në Shqipëri”.

“Zgjatja e krizës do të pengonte, pashmangshmërisht, përparësitë strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha të krijohet një platformë vendase për dialog, e cila të përfshijë të gjithë aktorët relevantë, përfshirë të gjitha partitë, shoqërinë civile dhe botën akademike, për të kapërcyer dallimet dhe për të punuar së bashku në shërbim të interesit më të lartë të Shqipërisë”.