Edhe gjatë këtij viti vendi ynë u përball me një situatë të vështirë si pasojë e rënies së zjarreve në masivet pyjore. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha se ende nuk ka një bilanc të saktë të dëmit të shkaktuar nga rënia e zjarreve gjatë vitit 2024, ndërsa shtoi se rastet kanë qenë problematike në të gjithë vendin. Çako tha se nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po ju vjen në ndihmë strukturave vendore për të rritur gatishmërinë dhe efikasitetin në rastet e rënies së zjarreve qoftë me trajnime e qoftë me mjete logjistike.

  Nga ana tjetër, Çako u shpreh se rastet më të mëdha të zjarreve kanë qenë të qëllimshme dhe për këtë është kërkuar që autorët të vendosen para drejtësisë nga strukturat e policisë së shtetit.

Vendi ynë kaloi një verë të thatë dhe zjarret shkaktuan probleme në disa nga masivet pyjore me dushqe dhe pyje halore, me dëme të pallogaritshme ekonomike.