Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të Shqipërisë. Në progresraportin e publikuar këtë të hënë, Komisioni thotë se Shqipëria meriton nisjen e bisedimeve. 

“Duke parë përparimet domethënëse dhe plotësimin e kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e zgjerimit për vitin 2019 që Këshilli Europian të nisë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj për të arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në pikat kyçe të identifikuara në përfundimet e Këshillit në qershor 2018. Si rezultat e kësaj, rekomandimi i Komisionit në vitin 2019 për hapjen e negociatave me Shqipërinë mbetet i vlefshëm”, thuhet në progresraport.

Një deklaratë e tillë e Komisionit Europian, e ndërthurur me metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit, heq të gjitha pengesat për dhënien e dritës jeshile ndaj Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut. Presidenti francez Emanuel Macron, i cili bllokoi vendimin pozitiv në samitin e mbajtur në tetor të vitit 2019, ka thënë së fundmi se do të hiqte veton nëse rezultatet e progresraportit të Komisionit Europian do të ishin pozitive. 

Sa i përket Shqipërisë, raporti thekson se vendi ka treguar rezultate konkrete lidhur me implementimin e reformave të lidhura me Bashkimin Europian. “Komisioni Europian konstaton se ka pasur përmirësim të mëtejshëm në procesin e vetting-ut të gjykatësve dhe prokurorëve, në veçanti në përfundimin e të gjitha dosjeve me prioritet. Është shënuar progres në finalizimin e themelimit të strukturave gjyqësore të pavarura dhe organizmave të specializuar si SPAK dhe BKH”, thuhet ne raport. 

Mbi bazën e rezultateve të raportit, pritet të merret vendimi në samitin e 27-28 marsit në Bruksel.