Territori i Bashkisë së Bulqizës vijon të ketë problematika të shumta sa i përket ndotjes së mjedisit. Veç zonave malore ku situata është thuajse e njëjtë në të gjithë vendin tonë, në Bulqizë ndotja shkaktohet edhe në zonat e ulta.
Rasti konkret është ai i shtratit të zallit të Bulqizës në zonën e Gjoricës. Siç duket nga pamjet, mbeturina të ndryshme janë hedhur në zonë që nga ato plastike e deri tek inertet.
Banorët e Gjoricës thonë jashtë kameras se ndotësit shfrytëzojnë rrugën e Arbrit e cila kalon pranë vendit ku është shkaktuar ndotja.
Personat që prodhojnë mbetje të tilla e kanë më të lehtë t’i depozitojnë aty duke shfrytëzuar edhe rrugët dalëse. Situata është kthyer në kritike pasi sasia e mbetjeve plastike apo inerte të depozituara në shtratin e Zallit të Bulqizës është e madhe.
Zona ka marrë pamjen e një fushe për venddepozitimin e këtyre mbetjeve, ndonëse Bashkia e Bulqizës e ka të vendosur atë pak kilometra larg Qafës së Buallit rrugës për në qytezën e Krastës së Martaneshit.
Probleme me ndotjen nga mbeturinat ka edhe përgjatë rrugës nacionale nga Ura e Çerenecit deri në Qafën e Buallit.