Banorët e fshatrave Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Dukagjin e Lam i Madh në Bashkinë e Matit janë të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e një HEC-i në zallin e Melthit. Banorët e këtyre fshatrave u mblodhën sërisht duke protestuar pranë kantierit të ndërtimit të firmës që do të ndërtojë hidrocentralin. Ata janë të vendosur që do ta mbrojnë me çdo çmim Zallin e Melth si dhe i bëjnë thirrje firmës të ndalojë punimet.

Ndërtimi i HEC-eve mnbi zallin e Melthit, sipas banorëve do të shkatërronte gjithë zonën duke e bërë të papabueshme. Edhe pse ata i kanë kërkuar të gjitha instancave që nga ministritë e deri tek kryeministri që të ndërhyjnë për pezullimin e punimeve, firma vazhdon punën.

Protesta e tyre këtë të enjte është monitoruar edhe nga forcat e rendit të komisariatit të Policisë Mat e po ashtu edhe forcat special të ardhura nga Tirana. Protesta e banorëve është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk është shënuar asnjë incident gjatë zhvillimit të saj. Banorët thanë se do të përshkallëzojnë rezistencën e tyre nëse organet përgjegjëse nuk do të ndërhyjnë.