Veç dobive që ka sjellë ndërtimi i rrugës së Arbrit, banorët e Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit vazhdimisht kanë kërkuar siguri teksa kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Banorët e fshatit Shkallë kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se përballen me rrezikun e përplasjes nga automjetet teksa duhet të kalojnë në të dy anët e rrugës. Një nga banorët, Murat Muça, i cili çdo ditë tregton prodhimet e tija bujqësore në afërsi të urës së “Spates” në Shkallë, shprehet se bashkëfshatarët e tij po rrezikojnë jetën kur kalojnë me kafshët, por edhe në këmbë rrugën e Arbrit, pasi makinat qarkullojnë me shpejtësi. Murati tregon se është dëshmitar i disa rasteve kur banorët kanë qenë duke u përplasur me makinat. Ai thotë se që në fillim kanë kërkuar një nënkalim dhe rrugë dytësore për kafshët, por që nuk janë ndërtuar deri tani.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e fshatit Shkallë të Klosit ankohen për sigurinë në rrugën e Arbrit, por kërkesat e tyre nuk kanë gjetur ende mbështetje.