Banorët e lagjes “Splaj” në fshatin Xibër – Hane të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit janë bërë bashkë për të rregulluar rrugën e lagjes së tyre.

Ata thonë se kanë kontribuar ekonomikisht për të marrë dy automjete private për të shtruar disa pjesë të rrugës së dëmtuar që i lidh me rrugën e Arbrit.

Por jo vetëm kaq, të gjithë përfaqësuesit e familjeve kanë dalë dhe kanë kontribuar edhe me krah pune. Në videot e dërguara për “Mat Televizion”, banorët shihen teksa sistemojnë materialin e hedhur në pjesët më problematike të rrugës.

Ata thonë se kishin kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga pushteti vendor, pasi gjendja e rrugës ishte degraduar gradualisht. Në këto kushte banorët nuk kanë pritur më, por kanë ndërhyrë vetë për ta rehabilituar.

Për shkak të terrenit malor, rrugët e fshatrave të Njësisë Administrative Xibër kanë shumë nevojë për mirëmbajtje, sidomos gjatë stinës së dimrit kur ka reshje të vazhdueshme shirash.