Gjykata e Tiranës caktoi masën “arrest me burg” për 27-vjeçarin Lorenc Veliaj, dëshmitar i vrasjes së punëtorit të kondicionerëve Indrit Çelaj 2 ditë më parë në vilën e familjes Kusi në rrugën ‘’Muhamet Gjollesha’’.
Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me autorët e krimit Griseldo dhe Albano Kusi, të cilët u konfliktuan me viktimën duke e qëlluar me plumb në kokë.
Veliaj, i cili kishte njohje shoqërore me dy vëllezërit, mori përsipër autorësinë e krimit. Por, në mbrëmjen e së enjtes, kur u arrestua nga policia, ai dëshmoi të gjithë ngjarjen e ndodhur duke zbuluar autorët e krimit.
Për këtë krim makabër, janë arrestuar Bujar Kusi, babai i autorëve të vrasjes, për fshehjen e krimit, Ferdinand Bakallin e Luan Çakën për ‘’moskallëzim të krimit’’ si dhe Edmond Sulën, si bashkëpunëtor në vrasje.
Dy ditë pas ngjarjes tronditëse, vëllezërit Kusi ende nuk janë kapur nga policia.