Pas pak muajsh, banorët e fshatrave Gjoricë e Sipërme dhe Gjoricë e Poshtme në Bashkinë e Bulqizës nuk do të kenë më probleme me ujërat e zeza. Kjo pasi që prej qershorit vijon zbatimi i projektit “Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza” për këto dy fshatra, i hartuar nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizmeve Dibër. Firmat zbatuese të këtij projekti, që zgjidh një gangrenë të vazhdueshme të banorëve të Gjoricës, po vijojnë punën pa ndërperje, ndërsa përfaqësuesit shprehen se punimet pritet të mbyllen para afatit ligjor. Lulzim Murati drejtues teknik i zbatimit të projektit shprehet se puna ka vijuar normalisht falë edhe të mirëkuptimit të banorëve, të cilët nuk kanë nxjerrë asnjë pengesë gjatë këtyre muajve për vendosjen e linjës apo ndërtimin e veprave të tjera. Projekti për “Ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza” në dy fshatrat e Gjoricës në Bulqizë është financuar qeveria shqiptare nëpërmjet Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Dibër dhe kap vlerën e 2.4 miliard lekëve të rinj pa tvsh.