Një banesë u shkrumbua plotësisht mëngjesin e kësaj të shtune në Lagjen e Re të qytetit të Burrelit. Flakët dogjën gjithçka kishte brenda në banesë me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të bërë nga shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë së Matit. Familjarët tregojnë se flakët kanë nisur nga çatia e cila për shkak se ishte me konstrukt druri, janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën. Në momentin e rënies së zjarrit një nga vajzat e familjes ka qenë në gjumë, ndërsa është shpëtuar nga xhaxhai i saj. Trëndafile Frisku thotë se ajo vetë nuk ishte në banesë në momentin e rënies së zjarrit, ndërsa kur ka mbërritur aty ka parë që gjithçka kishte brenda ishte shkrumbuar nga flakët. Kryefamiljarja Trëndafile Frisku shprehet se ndërhyrja me zjarrfikëse ka qenë e shpejtë, por ka qenë e pamundur të shpëtohet djegia e banesës pasi flakët ndihmoheshin edhe nga era e fortë. E tronditur, Frisku ju bën apel të gjitha instancave shtetërore, OJF-ve dhe kush ka mundësi ta ndihmojnë pasi katër anëtarët e familjes së saj kanë mbetur në qiell të hapur, në stinën e ftohtë të dimrit.
Paraprakisht dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa grupi hetimor ka nisur hetimet. Po ashtu, specialistët e Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Mat, kanë nisur punën për të bërë bilancin e dëmit të shkaktuar nga marrja flakë e banesës.