Çështja e ngritur për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të vitit 2016 në Dibër nuk ka përfunduar ende. Në këtë proces po gjykohen 4 persona, ish shefi i Komisariatit të Dibrës Robert Aga, ish administratori i Lurës Hasan Hoti, ish drejtori i Arsimit në Dibër, Drini Gjeci dhe ish administratori i Njësisë Administrative Tomin, Nuri Meda. Për dy të fundit prokuroria e Dibrës kërkoi një ditë më parë që të shpallen fajtor nën akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kanosje apo dhunimit ndaj pjesmarrësve në zgjedhje, kryer më shumë se njëherë”.
Mësohet se prokurori i çështjes ka kërkuar në sallën e gjyqit dënimin me nga 3 vite burg për Drini Gjecin dhe Nuri Medën dhe se në zbatim të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me nga dy vite. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e të pandehurve ka pretenduar në pafajësi, ndërsa pritet që konkluzionit avokatët t’i paraqesin në seancën e radhës.
Po të Martën është zhvilluar edhe seanca gjyqësore ndaj dy të pandehurve të tjera, Robert Aga e Hasan Hoti. Në këtë seancë ishte thirrur një tjetër dëshmitar që deklaroi se ishte dhunuar nga deputet të partisë demokratike dhe se nuk ishte ndikuar nga Robert Aga në procesin e zgjedhjeve të vitit 2016.
Seancat e radhës për dosjen 184 do të mbahen me datë 4 Maj.