Vijon rezistenca e banorëve për mbrojtjen e Zallit të Melthit

0
9

Banorët e fshatrave Zall – Gjoçaj, Gjoçaj, Dukagjin e Melth në NJësinë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit kanë vijuar rezistencën e tyre në mbrojtje të zallit të Melthit për të penguar ndërtimin e Hidrocentraleve.

Pas disa protestave radhazi, banorët e këtyre fshatrave tashmë kanë ngritur një çadër në të cilën qëndrojnë 24 orë pa ndërprerje. Banorët paralajmëruan në protestën e fundit se ky do të ishte hapi i radhës pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ajo e Mjedisit dhe Turizmit, kanë heshtur deri tani duke mos marrë asnjë masë ndaj firmës për pezullimin e punimeve.

Në çadrën e ngritur në mes të rrugës, banorët qëndrojnë me turne, por të vendosur për të mos lëvizur deri në plotësimin e kërkesës për pezullimin e punimeve nga ana e firmës.

Dhjetra banorë të fshatrave Zall – Gjoçaj, Gjoçaj, Dukagjin e Melth zhvilluan një protestë masive të shtunën pranë kantierit të ndërtimit, duke u përplasur fizikisht edhe me forcat e policisë së Komisariatit të Matit e ato të RENEAS që kishin shkuar aty në mbështetje të subjektit ndërtues të HEC-eve mbi Zallin e Melthit.