Diplomacia SHBA-Iran Ul Çmimet e Naftës dhe Gazit Ndërkombëtarisht
Çmimet e naftës dhe gazit kanë pësuar një rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve se diplomacia mund të rikthehet në qendër të përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Nafta bruto amerikane WTI ra deri në 6.7%, duke zbritur në 97.1 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, edhe nafta Brent, referenca kryesore për tregjet ndërkombëtare, regjistroi një rënie prej 6.7%, duke arritur në 105.86 dollarë për fuçi.
Rënia u përshpejtua pas deklaratave të presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, i cili bëri të ditur se qeveria e Teheranit po kërkon një zgjidhje përmes dialogut. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, Pezeshkian deklaroi se Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei, i ka dhënë qeverisë kompetencat e nevojshme për të ndjekur këtë proces.
Gjatë një takimi me guvernatorët e provincave, presidenti iranian theksoi se vendi i tij nuk mund të detyrohet të dorëzohet përmes konfliktit, duke shtuar se Teherani kundërshton kërkesat që i konsideron të tepruara.
Ndërkohë, pritshmëritë për rifillimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ndikuar pozitivisht edhe në tregjet financiare. Bursat kryesore evropiane kanë regjistruar rritje:
- Milano shënoi rritje me 0.5%
- Madridi me 0.8%
- Parisi me 0.3%
- Frankfurti me 0.2%
- Londra regjistroi një rënie të lehtë prej 0.1%
Edhe çmimi i gazit natyror ka ndjekur të njëjtën tendencë, duke rënë me 8.5% në 95 euro për megavat/orë.