Rekamë

Aksi rrugor Shoshaj – Urakë – Rrëshen shpeshherë është bërë problematik për shkak të gjendjes së amortizuar të tij. Problemet e vazhdueshme në të kanë qenë prania e madhe e gropave, shembja e dherave në disa segmente dhe dëmtimi i sinjalistikës vertikale.

Por një tjetër problem më i madh po i kanoset këtij aksi rrugor i ndërtuar si koridori i Matit për të lidhur rrugën e Kombit dhe atë të Arbrit.

Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, disa nga urat në këtë rrugë sidomos në pjesën Urakë – Rrëshen rrezikojnë të shemben. Këmbët e këtyre urave janë në rrezik si pasojë e vërshimit të ujërave të shiut nga mungesa e kanaleve kulluese anësore të rrugës.

Ndonëse në pamje të parë urat duken si të rregullta, por këmbët e tyre lindore janë gërryer nga poshtë, duke u kthyer në një rrezik serioz për mjetet që kalojnë mbi to.

Segmenti Shoshaj – Urakë – Rrëshen u përfundua në vitin 2014. Prej pesë vitesh në këtë rrugë nuk ka mirëmbajtje, ndonëse herë pas here janë privatët që i mbushin gropat, nuk ka asnjë autoritet zyrtarë përgjegjës. ARRSH dhe Bashkia e Matit, kanë deklaruar se nuk e kanë të inventarizuar si objekt, duke e lënë aksin në mëshirë të fatit.