Banorët e fshatrave Dom e Zall – Rripë, në Njësinë Administrative Gurrë, në Bashkinë e Klosit, presin me padurim përfundimin e veprës më të rëndësishme që e kanë pritur prej 30 vitesh, urën prej betoni. Zbatimi i projektit ka nisur prej muajsh ku tashmë puna është drejt fazës së përmbylljes. Ky investim që i ka munguar zonës në tri dekada, më në fund po arrihet të bëhet realitet dhe të ndryshojë zonën në zhvillim për mirë. Ndërkohë që ura e re po përfundon, shumë shpresojnë se ajo do të jetë një fillim për tërheqjen e investimeve të reja në infrastrukturë për zonën, duke ndikuar pozitivisht në jetesën dhe zhvillimin ekonomik të banorëve.

Krahas këtij lajmi të mirë për përfundimin së shpejti të punimeve në urënë e re të Domit prej betoni, banorët kanë një kërkesë ndaj pushtetit vendor që të marrë masa për riparimin e urës ekzistuese tip pasarelë, pasi dërrasat dhe tabanët mbajtës janë kalbur dhe po rrezikojnë jetën, deri sa të vihet në funksionim ura e re prej betoni.

Urgjenca për riparimin e urës së vjetër tip pasarelë mbetet e rëndësishme për komunitetin e Domit. Ura ekzistuese ka shërbyer për shumë vite si e vetmja lidhje për qindra banorë, por mungesa e mirëmbajtjes ka sjellë degradimin e saj. Banorët, të cilët çdo ditë kalojnë mbi dërrasa të dëmtuara dhe pjesë të kalbura të urës, theksojnë rrezikun për sigurinë e tyre dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme deri në përfundimin e urës së re prej betoni.