Unaza e poshtme e Burrelit në pritje të një ndërhyrje
Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit vijon të mbetet jashtë përdorimit për shkak të shembjeve të mëdha që ka pësuar që prej fundit të vitit të kaluar. Këto shembje janë vlerësuar nga ekspert të Autoritetit Rrugor Shqiptar të cilët kanë hartuar edhe projektin e ndërhyrjes emergjente. Burime jo zyrtare thonë se do të ketë një tjetër investim në këtë unazë për ndërtimin e pilotëve në pjesët e shembura që në total shkojnë në afërsisht 300 metër linera. Jo zyrtarisht thuhet se vlera e investimit të ri do të jetë rreth 950 mijë euro, por ende nuk ka një procedurë të hapur nga Autoriteti rrugor Shqiptar. Dëmtimi i kësaj unaze ka penguar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë në të, të cilat aktualisht kalojnë nëpërmjet qytetit të Burrelit. Bëhet fjalë për mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë mineral kromi në Uzinën e Ferrokromit në Komsi. Banorët që jetojnë përgjatë unazës së poshtme kanë askses të kufizuar në rrugë, ndërsa shembja e saj ka dëmtuar edhe rrjetin e tubacionit të ujërave të zeza. Vendosja në funksion të plotë të kësaj unaze, do të zgjidhte përfundimisht shmangien e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugët e qytetit të Burrelit.