Në një deklaratë për mediat, kreu i UGSH Aleksandër Çipa thotë se ky përjashtim do të kishte efekte të jashtëzkonshme ekonomike tek mediat tradicionale pasi për shkak të situatës këtyre të fundit u janë ndërprerë reklamat nga kompani të ndryshme.
Kjo sipas tij do të ndikojë direkt në ekonomitë familjare të komunitetit të gazetarëve.
Deklarata e plotë!
Deklaratë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), gazetarit Aleksandër Çipa, ndaj vendimit të Qeverisë Shqiptare në kushtet e situatës së pazakontë të shkaktuar nga pandemia
Mediat dhe gazetarët nuk mund të përjashtohen nga ndihma zoti Kryeministër: ky është diskriminim.
Qeveria e kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të masave për përballimin e pasojave dhe emergjencës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka vendosur që të paguajë të gjjthë punonjësit e bizneseve të mbyllur. Në draftin paraprak, në këto kategori, nuk është përfshirë sektori i medias. Mediat në vendin tonë, të regjistruara dhe taksapaguese si entitetet e tjera të biznesit, shërbejnë si burim të ardhurash mujore për mijëra të punësuar dhe, përtej ankesave të ritheksuara të UGSH, garantojnë sigurimet mujore të gazetarëve. Ky përjashtim për mediat dhe, rrjedhimisht, për gazetarët dhe punonjësit e thjeshtë bëhet pikërisht në një moment kur paraqitet një rrezik i theksuar falimentimi.
Media shqiptare është sot në gjendje kolapsi, pasi të gjjtha kompanitë reklamuese janë tërhequr. Asnjë biznes nuk bën reklamë në këtë kohë krize. Përjashtimi i mediave nga vendimi i qeverisë dhe indiferenca ndaj gazetarëve të punësuar në këtë sektor përbëjnë akt të pastër ndëshkues dhe penalizues për bukën dhe jetesën e gazetarëve dhe familjeve të tyre. Duhet ta themi se aktualisht, për shkak të kësaj krize, të gjitha televizionet dhe mediat audiovizive në përgjithësi, kanë reduktuar stafet, disa prej tyre edhe në masën 70%, pasi nuk kanë fuqi paguese.
Përjashtimi selektiv i entiteteve mediatike rrezikon të shndërrohet në një vullnet të pashprehur për të parë falimentimin dhe mbylljen e tyre. Mediat dhe fjala e lirë, pluralizmi dhe spektri informativ janë arma e vetme kundër territ informativ që paraqitet si një kërcënim konkret në ditët e luftës me pandeminë COVID-19.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin se nëse kjo situatë zgjat deri në fund të muajit prill, mediat, sidomos radio-televizionet, rrezikojnë të fikin sinjalin televiziv. Të njëjtin problem e kanë edhe mediat online, ku në një treg ende të parregulluar, nuk kanë asnjë burim financiar, përtej reklamuesve që po tërhiqen. Përjashtimi i mediave dhe gazetarëve nga vendimi i qeverisë është një dënim me varfëri dhe uri për gazetarët shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton të gjitha mediat, gazetarët dhe shoqatave aktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit të bashkohen në reagim dhe denoncim tê përbashkët kundër këtij vendimi diskriminues të qeverisë shqiptare.
Aleksandër Çipa
Kryetar, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 18.03.2020