Pak vite më parë, kompania që ka privatizuar hidrocentralet Ulëz e Shkopet pas shumë kërkesave të bëra nga qytetarët por edhe institucionet e tjera vendosi ndriçim në tunelin e Shkopetit që ndodhet pranë digës së hidrocentralit me të njëjtin emër. Ndriçuesit u vendosën në anën e poshtme të tunelit ku edhe pse nuk reflektonin ndriçim të plotë kishin bërë që tuneli të mos ishte totalisht në errësirë. Por edhe pse nuk kanë kaluar shumë kohë nga vendosja e këtyre ndriçuesve, errësira në tunel ka nisur të kthehet. Kjo për faktin se pjesa më e madhe e ndriçuesve janë djegur dhe kompania nuk e merr mundimin për t’i zëvendësuar. Drejtuesit e mjeteve thonë se kjo është jë tallje për ta ku ngjitur me tunelin të kesh hidrocentralin, por në tunel të mos kesh ndriçim. Ata i kërkojnë kompanisë që meqë po merr fitime të mëdha nga pasuria e tyre, të paktën të bëjë disa investime të vogëla.

Veç ndriçimit në tunelin e Shkopetit vijon të jetë problem prezenca e vazhdueshme e ujit pasi nuk është bërë asnjë investim në strukturën e brendshme të tij që nga hapja shumë dekada më parë.