Pasi e kishte paralajmëruar disa herë, me kritika të shumëfishta, Donald Trump zyrtarizoi divorcin e administratës së tij nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në konferencën e përditshme për shtyp, presidenti amerikan zyrtarizoi faktin që Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë kontributin e tyre ndaj organizatës ndërkombëtare, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qenë nga viti 1948 kontributori i parë i OBSH-së, me fonde që shkojnë deri në 500 milionë dollarë në vit.
“Ndërkohë, Kina paguan rreth 40 milionë”, shtoi Trump, dhe ky është çelësi për të kuptuar vendimin e paprecedent. Presidenti amerikan mendon se në rastin e pandemisë, OBSH ka mbajtur fillimisht anën e Pekinit zyrtar, duke mos dhënë dimensionin real të emergjencës që në pak ditë do të shndërrohej në globale.
“Po të kishte çuar ekspertë për të vlerësuar situatën në terren dhe të kishte kërkuar transparencë nga Kina, përhapja mund të ishte kufizuar në burim”, shtoi Trump gjatë konferencës.
Qasjen e SHBA e qartësoi edhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo: “Ne duam që OBSH të kthehet në funksionin e saj primar, që është një informim i shpejtë dhe real mbi atë që ndodh në fushën e shëndetësisë”, tha ai.