Shtetet e Bashkuara të Amerikës prekin një tjetër rekord të zymtë, numrin më të lartë të viktimave nga Covid-19 në një ditë të vetme.

Sipas të dhënave të raportuara nga universiteti Johns Hopkins, pandemia u mori jetën rreth 2 mijë personave në 24 orët e fundit.

Në total, bilanci i viktimave shkon rreth 15 mijë. Rekord edhe në rastet e reja me 33 mijë të tillë në vetëm një ditë, ndërsa më shumë se 430 mijë vetë janë infektuar me koronavirus. Nju Jorku mbetet shteti më i prekur. Megjithatë edhe shtete të tjera kanë shtuar masat e sigurisë për të frenuar përhapjen dhe pasojat tragjike të Covid-19.

Autoritetet amerikane, përfshirë presidentit Donald Trump, paralajmëruan se kjo do të ishte java më e rëndë që prej shpërthimit të pandemisë. Pavarësisht rekordit të zymtë, ka disa tregues që SHBA po prek majën e kurbës dhe parashikohet një rënie e rasteve të reja dhe numrit të viktimave në javët e ardhshme.

Një studim i ri i Shtëpisë së Bardhë shfaq 20 mijë vdekje më pak se parashikimi i mëparshëm. Ndërkohë, kriza e shkaktuar nga koronavirusi po godet rëndë dhe ekonominë amerikane. Rreth 80% e hoteleve në Shtetet e Bashkuara janë të boshatisura, një rënie drastike krahasuar me një vit më parë. Kjo i atribuohet frikës nga pandemia dhe urdhrave për izolimin e banorëve në shtete të ndryshme amerikane.