Komisioni i Organizmit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në partinë Demokratike pas mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve primare që u zhvilluan në Bashkinë Dibër me 11 Dhjetor të vitit të kaluar, kishte vendosur që ditën e sotme zgjedhjet të përsëriteshin.

Në vendimin e këtij komisioni thuhej se kandidatët që garuan me datë 4 Dhjetor të rihynin në zgjedhje, ndërsa përjashtoheshin komisionet e dy zgjedhjeve të Dhjetorit. Por ky vendim nuk u prit mirë nga kreu i PD në Dibër, Ilir Krosi i cili në fillim të kësaj jave dha dorëheqje të parevokueshme.

Sakaq, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar takime mes palëve të përfshira në process, ndërsa data për përsëritjen e zgjedhjeve për përcaktimin e kandidatit garues në zgjedhjet e 14 Majit është shtyrë paafatë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve primare në Dibër të mbajtura me datë 11 Dhjetor, kandidatët të cilët kishin dalë në balotazh, Ismail Uka e Besnik Alku u zhvillua garë e fortë, ku me vetëm 1 votë më shumë, avokati Ismail Uka u shpall fitues, ndërsa kundërshtari i tij ankimoi vendimin për parregullsi.